Policia e Kosovës ka arrestuar një 27-vjeçar në Brezovicë, nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 19 gusht, rreth orës 23:30, pasi njësitet e Stacionit Policor në Shtërpcë kanë pranuar informatë për gjetjen e substancës së dyshuar narkotike në një villë të pabanuar në Brezovicë.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit të të dyshuarit, mashkull kosovar, 27 vjeç, ka gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale.
Nën dyshimin se i njëjti mund të posedonte edhe substanca të tjera narkotike, është kontrolluar edhe një vilë tjetër, ku është gjetur një sasi tjetër e dyshuar marihuane.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar gjithsej 1,063 gramë marihuanë, dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon celular.
Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, e cila ka marrë përsipër procedimin e mëtejshëm.
Po ashtu, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore.
