Kompania maqedonase ESM e ka cilësuar si strategjike marrëveshjen me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizim me qymyr, duke pretenduar se kontrata do t’i sjellë kursime të mëdha financiare.
Në reagimin të publikuar lidhur me marrëveshjen, kompania maqedonase ka bërë të ditur se kontrata është arritur pas negociatave mes dy kompanive publike dhe është bazuar edhe në një vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas ESM marrëveshja trevjeçare i mundëson kompanisë shfrytëzimin e rreth 3 milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve të ardhshëm nga miniera e Obiliqit.
“Marrëveshja parashikon një çmim të garantuar dhe fiks prej 24.4 eurosh për ton qymyr për kohëzgjatjen e marrëveshjes, me parametra të cilësisë të përcaktuar saktësisht që do të jenë baza për blerjen dhe shitjen”, ka deklaruar ESM.
Kompania maqedonase ka pretenduar se sasia e garantuar dhe çmimi i fiksuar do ta mbrojnë sistemin energjetik të Maqedonisë së Veriut nga mungesa e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe nga luhatjet e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Madje, sipas AD ESM-së, çmimi i dakorduar me KEK-un prej 24.4 eurosh për ton do t’i mundësojë kompanisë “kursime të mëdha financiare”, pasi, sipas saj, qymyri është siguruar me çmimin më të favorshëm të mundshëm dhe me karakteristika më të mira krahasuar me furnizimet e tjera në dispozicion.
Pretendojnë 800 GWh energji shtesë dhe 57 milionë euro të ardhura
Përfitimet që pret kompania maqedonase nga marrëveshja me KEK-un nuk ndalen vetëm te çmimi i qymyrit.
ESM ka pretenduar se përdorimi i qymyrit nga Kosova do të rrisë ndjeshëm efikasitetin e termocentraleve të saj. Sipas përllogaritjeve të kompanisë, djegia e këtij qymyri do të sjellë një prodhim shtesë vjetor prej 800 GWh energji elektrike, që, sipas saj, do të krijonte të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh.
Kompania ka deklaruar se efekti financiar pritet të përmirësohet edhe përmes uljes së nevojës për përdorimin e naftës për djegie.
AD ESM ka përmendur edhe përfitime mjedisore nga marrëveshja, duke pretenduar se ajo do të mundësojë uljen vjetore të emetimeve të dioksidit të karbonit për 923 mijë tonë për shkak të përdorimit të më pak qymyrit, si dhe për 55,980 tonë të tjera për shkak të reduktimit të përdorimit të naftës.
Në anën tjetër, edhe KEK-u ka reaguar ndaj deklarimeve dhe interpretimeve lidhur me marrëveshjen, duke insistuar se objekti i kontratës është vetëm shitja e qymyrit dhe jo ndonjë koncesion mbi resurset e kompanisë.
“Qëndrimi zyrtar i KEK-ut është në përputhje të plotë me kontratën e nënshkruar ndërmjet palëve”, ka deklaruar KEK-u.
Korporata tha se nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e publikuara nga palë të tjera dhe se për të, referencë zyrtare dhe juridikisht e vlefshme mbetet kontrata e nënshkruar.
“Në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë për koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e KEK-ut. Objekti i saj është i qartë: shitja e qymyrit”, tha KEK-u.
Për marrëveshjen ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka mbrojtur çmimin e kontratës, duke thënë se ai është shumëfish më i favorshëm për KEK-un krahasuar me shitjet e mëparshme përmes ndërmjetësuesve.
“Çmimi prej 24.4 Euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 Euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 Euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.
