Në Prokurorinë Themelore në Pejë është mbajtur takim koordinues me zyrtarë policorë, i udhëhequr nga prokurorja e shtetit Sanije Gashi-Seferi, koordinatore për veprat penale kundër integritetit seksual, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të këtyre veprave penale, me theks të veçantë në rastet ku viktima janë të miturit.
Gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të reagimit të shpejtë, profesional dhe efektiv në trajtimin e rasteve të veprave penale kundër integritetit seksual.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar vetëdijesimit dhe informimit të të miturve lidhur me këto vepra penale, mënyrave të identifikimit të situatave të rrezikshme, raportimit me kohë, si dhe mekanizmave ekzistues për kërkimin e ndihmës dhe mbrojtjes.
Në takim është diskutuar gjithashtu për rëndësinë e sigurimit dhe dokumentimit të provave që nga vendi i ngjarjes, përfshirë identifikimin, sigurimin dhe ruajtjen e gjurmëve materiale, dëshmive relevante dhe të dhënave të tjera që mund të kontribuojnë në ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit dhe zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e shfrytëzimit të kamerave të sigurisë dhe sigurimit në kohë të incizimeve, si dhe mbledhjes dhe administrimit të provave elektronike dhe materiale që mund të jenë të rëndësishme për procedurën penale.
Takimi ka pasur për qëllim edhe avancimin e komunikimit dhe koordinimit ndërmjet zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe institucioneve të tjera kompetente, me fokus të veçantë në mbrojtjen e të miturve viktima, respektimin e të drejtave të tyre dhe sigurimin e një procesi profesional dhe të ndjeshëm gjatë trajtimit të rasteve.
