Një aksident i rëndë trafiku që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Lluzhan të Podujevës ka përfunduar tragjikisht. Këmbësori që mbeti i lënduar rëndë pasi u godit nga një veturë, drejtuesi i së cilës dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes, ka ndërruar jetë sot në QKUK.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është S.B., rreth 70-vjeçar, nga Lluzhani.
Aksidenti kishte ndodhur më 24 gusht, rreth orës 20:30, në rrugën Podujevë–Prishtinë, konkretisht në fshatin Lluzhan, në afërsi të shkollës fillore.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, S.B. ishte duke lëvizur si këmbësor kur është goditur nga një veturë. Drejtuesi i saj nuk është ndalur në vendin e aksidentit dhe është larguar.
70-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar me urgjencë në QKUK në Prishtinë, ku po trajtohej.
Por, mëngjesin e sotëm, ka ardhur lajmi tragjik.
Rreth orës 09:50, nga Klinika Torakale në QKUK është konfirmuar se S B nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Me urdhër të Prokurores kujdestare të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, një prej çështjeve kryesore të hetimit mbetet identifikimi i veturës dhe personit që ndodhej pas timonit, pasi në të dhënat fillestare policore drejtuesi figuron ende si person i paidentifikuar.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit po vazhdojnë.
