Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka njoftuar se më 15 shtator 2026 do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.66/2023, që lidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, PPS.nr.60/2010, të datës 23 dhjetor 2024.
Aktakuza është ngritur ndaj 55 të pandehurve, të cilët akuzohen për veprën penale “Krimet e Luftës kundër popullsisë civile”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila aktualisht është e inkriminuar sipas neneve 144, 145, 146 dhe 147, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të akuzuarit në këtë çështje janë: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikolla Miqunoviq, Millovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Millan Kotur, Radomir Çoliq, Danillo Zeçeviq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçillo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjosha, Predrag Stojanoviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shqepanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Llekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashçeviq, Zoran Mirkoviq, Dushan Prashçeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçillo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajlloviq, Mirash Gegoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçillo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçillo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Për këtë arsye, Gjykata, përmes njoftimit publik, u ka bërë thirrje të gjithë të pandehurve të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Gjykata u ka bërë thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që këto informacione t’ua përcjellin Policisë së Kosovës apo organeve të tjera kompetente.
Seanca do të mbahet më 15 shtator 2026, në ora 09:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, Objekti D. Seanca do të drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra.
Gjykata ka bërë të ditur se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se do të vazhdojë ta informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale.
