Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit, ish-kryetarit të Prizrenit dhe ish-deputetit, Eqrem Kryeziu, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare.
Në një postim në Facebook, ai ka kujtuar takimin e fundit me Kryeziun në fund të dhjetorit të vitit 2025, duke vlerësuar kthjelltësinë e tij mendore dhe kontributin në jetën publike.
“Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede. Përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takonte një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë.
“Libri i tij që ma dhuroi më pas “Poetika e Zef Skiroit” është i jashtëzakonshëm”, ka shkruar tutje Kurti.
