Tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer disa raste të vjedhjeve të rënda në rajonin e Gjilanit dhe në zona të tjera të Kosovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të arrestuarit janë dy shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Shqipërisë. Sipas autoriteteve, ata dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim dhe si pjesë e një grupi, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror.
Në kuadër të hetimeve, të cilat janë zhvilluar për një periudhë të gjatë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, janë kryer bastisje në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar pajisje dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve, përfshirë pajisje për komunikim dhe maskim, si dhe mjete për hapjen me forcë të dyerve, kasafortave dhe objekteve të tjera.
Policia ka njoftuar gjithashtu se një person tjetër, i njohur për autoritetet dhe i dyshuar për përfshirje në aktivitetet kriminale të grupit, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit.
