Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pasi Policia e Kosovës nuk i ka lejuar sot deputetët e PDK-së dhe Aleancës që po protestojnë para Qeverisë të hyjnë brenda.
Ajo i ka kujtuar Policisë që të lexojnë Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, konkretisht Nenin 11 – Qasja në institucionet publike.
“Neni 11, pika 1, është shumë i qartë:
“Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike.”
Ndërsa pika 2 përcakton se organet e administratës publike janë të obliguara të sigurojnë ndihmë për deputetin në përmbushjen e mandatit të tij”, ka thënë Musliu.
Ajo ka thënë se Policia e Kosovës është institucion i Republikës së Kosovës dhe duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e jo urdhrave politikë, nga kushdo qofshin ata.
“Për 16 vjet në Kuvendin e Kosovës, kam punuar çdo ditë për një Polici profesionale, me integritet dhe dinjitet. Jo për një polici që i nënshtrohet urdhrave të cilitdo politikan apo partie politike. Ligji është mbi politikën. Kushtetuta është mbi çdo urdhër politik. Dhe këtë duhet ta dijë çdo zyrtar i Policisë së Kosovës”, ka shkruar Musliu.
