Një aksident trafiku mes tri veturave ka ndodhur sot rreth orës 13:10 në fshatin Kijevë, në rrugën Pejë–Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se shtatë persona janë dërguar për trajtim mjekësor.
Sipas Policisë, gjendja shëndetësore e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.
“Sot rreth orës 13:10 jemi njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Kijevë, në rrugën Pejë–Prishtinë. Në aksident janë përfshirë tri automjete, ndërsa, sipas informatave të deritanishme, raportohet se shtatë persona janë dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Elezaj.
