Deponia e mbeturinave në Trokan të Komunës së Dragashit është përfshirë nga zjarri këtë të diel.
Kryetari i kësaj komune, Bexhet Xheladini, ka kërkuar ndihmën e të gjithë qytetarëve që posedojnë pompa uji, në mënyrë që t’i dalin në ndihmë Shërbimit të Zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit.
“Po ashtu, u bëjmë apel kompanive dhe personave që kanë mundësi të angazhojnë kamionë me dhe, pasi ndihma e tyre është më se e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Kamionët me dhe do të kompensohen.
Çdo ndihmë është e rëndësishme dhe e nevojshme në këtë moment! Ju lutemi, shpërndajeni këtë apel dhe lajmëroni personat që mund të ndihmojnë”, ka shkruar ai.
