Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Kryeqyteti do të krijojë një ndërmarrje të re publike komunale për shërbimet e pastrimit.
Rama ka thënë se sistemi aktual i Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, në të cilin përfshihen edhe komunat e Obiliqit, Fushë Kosovës, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit, nuk po u përgjigjet më nevojave të Prishtinës.
Sipas tij, Kryeqyteti i ka përmbushur obligimet e veta dhe dokumentet lidhur me procesin tashmë janë bërë publike, ndërsa procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të një nënshkrimi.
“Kryeqyteti i ka përmbushur obligimet e veta. Dokumentet janë tashmë publike. Procesi ka mbetur i bllokuar për një nënshkrim.
Dhe çmimin e këtij bllokimi nuk e paguan ministri. E paguajnë qytetarët e Prishtinës.
Prandaj, këtë javë kemi mbajtur takim me kryetarët e komunave që janë pjesë e Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’, me menaxhmentin dhe punëtorët e kompanisë dhe KEMI MARRË VENDIM”, ka shkruar Rama në Facebook.
