Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një sërë takimesh në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, ku në fokus ka qenë edhe dialogu Kosovë-Serbi, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
Përmes një postimi në “X”, Hoxha bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Bled është takuar me të dërguarin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Unionit për Mesdheun, Fadi Hajli, si dhe drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Talis Linkaits.
Hoxha tha se me Sorensen ka theksuar rëndësinë e një dialogu të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete e të prekshme, me qëllim përparimin më të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me Sorensen, theksova rëndësinë e një dialogu të qëndrueshëm, të orientuar drejt rezultateve konkrete e të prekshme, për të avancuar më shpejt drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Hoxha në X.
