Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur për qëndrimin e kësaj partie gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, si dhe për përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja kishte një orientim të qartë politik dhe se vendimi për angazhimin në krijimin e institucioneve ishte marrë nga organet më të larta të partisë.
“Edhe gjatë fushatës, edhe pas fushatës, kishim një orientim të qartë politik. Si organi më i lartë i partisë, kishim zgjedhur, me rekomandimin tim, një deklaratë që LDK-ja të angazhohej për krijimin e institucioneve. Ky ishte një vendim i LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai ka treguar se LDK-ja kishte zhvilluar takime edhe me partitë e tjera politike, përfshirë PDK-në dhe Aleancën, me qëllim që të gjendej një rrugë për tejkalimin e situatës politike.
Sipas Abdixhikut, gjatë këtyre kontakteve është kuptuar se PDK-ja nuk dëshironte të bëhej pjesë e këtij procesi.
“Ne kishim takime edhe me partitë e tjera, me PDK-në dhe Aleancën. Kemi kuptuar në një fazë që PDK-ja nuk do të jetë pjesë e procesit. Kemi kërkuar edhe për gjashtë kërkesat e Aleancës”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së ka theksuar se partia që ai drejton e sheh veten si forcë institucionaliste dhe se në takimet e para është diskutuar për nevojën e një balance demokratike.
“Ne jemi parti institucionaliste. Në takimet e para kemi folur për balancë demokratike”, tha Abdixhiku.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar qasje, duke kaluar nga një proces i udhëhequr prej saj në një proces më konsensual.
“Është hera e parë në dy vitet e fundit që Lëvizja Vetëvendosje ka lëvizur nga pozita, nga një proces i Lëvizjes Vetëvendosje në një proces konsensual. Kjo nuk ka qenë në diskutimet pas dhjetorit”, tha Abdixhiku.
Deklaratat e Abdixhikut u bënë në kuadër të diskutimeve për zhvillimet politike dhe përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja.
