Meraklit e targave me kombinime të veçanta në Kosovë tashmë duhet të paguajnë më shtrenjtë për të pasur numrat e dëshiruar në automjetet e tyre.
Tarifat e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi në muajin prill, janë përcaktuar me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga ministri në detyrë Xhelal Sveçla, dhe parashohin pagesa prej mijëra eurosh për kombinimet e veçanta të targave.
Sipas tarifave të reja, targat me numra të njëjtë dhe kod të njëjtë të rajonit kushtojnë 3 mijë euro.
Kjo nënkupton se për kombinime si “03-333”, “02-222”, “04-444”, “05-555” apo “06-666”, qytetarët që dëshirojnë t’i kenë këto targa duhet të paguajnë 3,000 euro.
Tarifat janë të kategorizuara në bazë të kombinimit të numrave. Për targat me numra të njëjtë, por me kode të ndryshme të rajonit, tarifa është 2 mijë euro.
Ndërkaq, për numrat fiks, si 200, 300, 400, 500 e të tjerë, pagesa është 1 mijë euro.
Në rastin e targave me numra të ndryshëm, tarifa është 500 euro.
Pra, për një targë si 03-333, e cila për shumë shoferë konsiderohet kombinim “VIP”, çmimi tashmë shkon në 3 mijë euro.

