Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë aktgjykimin me të cilin është miratuar si e bazuar kërkesëpadia e Këshillit Drejtues të Shkollës “Xhavit Ahmeti”, duke shfuqizuar nenin 21 të Rregullores nr. 19/2024 të nxjerrë nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Neni i shfuqizuar rregullonte procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër në institucionet publike edukativo-arsimore.
Mirëpo, përkundër këtij vendimi të prerë të shkallës më të lartë gjyqësore në vend, zbatimi i tij në terren po ndesh në pengesa.
Për këtë situatë ka reaguar publikisht profesori Visar Ismajli, i cili ka akuzuar Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan për mosrespektim të aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Në reagimin e tij të ashpër, profesori Ismajli e ka cilësuar këtë sjellje si “pafytyrësi dhe mosrespektim të drejtësisë”, duke ngritur supin se deri kur institucionet publike do të lejohen të shkelin vendimet e gjykatave.
“Ajo që po ndodh në këtë rast ngre një pyetje serioze: A është mbi vendimin e Gjykatës Supreme vullneti i një institucioni? Kjo nuk është çështje inati apo hakmarrjeje, por çështje e drejtësisë, ligjshmërisë dhe respektimit të institucioneve të Republikës së Kosovës,” është shprehur Ismajli.
Ai i ka bërë thirrje urgjente Kryetarit të Komunës së Gjilanit që të ndërhyjë menjëherë për anulimin e konkursit përkatës dhe kthimin e procesit në pikën zero.
Profesori ka paralajmëruar se nëse komuna nuk merr masa për zbatimin e ligjit, do t’u drejtohet organeve kompetente të drejtësisë, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë.


