Gjatë vitit 2025, në spitalet publike të Kosovës janë regjistruar 16,923 lindje, ndërsa në rreth 40 për qind të rasteve lindja është kryer me prerje cezariane.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se gjithsej 6,789 lindje janë kryer përmes ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa pjesa tjetër, rreth 59.9 për qind, kanë qenë lindje normale.
Numri më i madh i lindjeve është regjistruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Aty kanë lindur 7,458 fëmijë, ndërsa 3,074 lindje janë kryer me prerje cezariane.
Në Spitalin e Prizrenit janë regjistruar 2,398 lindje, prej të cilave 975 kanë përfunduar me prerje cezariane.
Në total, sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 në spitalet publike të Kosovës kanë ardhur në jetë 17,015 fëmijë.
Shifra e lindjeve me operacion mbetet ndër të dhënat më të theksuara, pasi pothuajse katër nga çdo dhjetë lindje në spitalet publike janë realizuar me prerje cezariane.
