Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se janë dakorduar që të mos marrin pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit.
Gjini tha se vendimi është marrë nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Aleancës, pasi, sipas tij, nuk duan të legjitimojnë shkeljen e Kushtetutës.
“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, tha ai.
Sipas Gjinit, vendi aktualisht ndodhet jashtë normës kushtetuese.
“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gjini.
Ai kritikoi edhe mënyrën se si janë thirrur seancat e Kuvendit gjatë kësaj periudhe.
“E kemi parë që dy herë seanca është thirrur midis ditëve të fundit të skadimit të atij tridhjetë ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vetë politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës edhe ndaj deputetëve.”
Gjini e cilësoi situatën si sjellje të papërgjegjshme dhe akuzoi përpjekjet për t’i vendosur institucionet mbi ligjin.
“Po mendojmë që është sjellje totalisht e papërgjegjshme edhe e tregon karakterin e njerëzve të cilët duan me çdo kusht, jo vetëm me treguar që janë mbi ligjin edhe mbi Kushtetutën, por edhe me u tallë me institucionet e Kosovës”, tha tutje ai.
Ai tha se Aleanca kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej deri të shtunën.
“Dua me ju thënë që Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, u shpreh ai.
Sipas tij, vendimi për të bojkotuar seancën është një mesazh për institucionet dhe qytetarët.
“Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat, po i themi, që ende janë në opozitë. Nuk duhet të jemi gjallë në opozitë, ne nuk do të jemi, as parti të tjera nuk do të jemi, por deri sot janë në opozitë. Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini.
