Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë. Seanca është caktuar për në orën 11:00.
PDK dhe LDK kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të marrin pjesë, ndërsa Aleanca e Ardian Gjinit ka bërë të ditur se do ta bojkotojë seancën.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet para 16 shtatorit, ndërsa ka njoftuar se PDK do ta propozojë Vlora Çitakun për nënkryetare.
Edhe LDK-ja ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në përfundimin e procesit.
Në anën tjetër, Ardian Gjini ka deklaruar se deputetët e Aleancës nuk do të marrin pjesë, duke akuzuar LVV-në për shkelje të Kushtetutës.
Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar që nga fillimi i gushtit, pasi Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët. Pas disa kërkesave të partive opozitare, vazhdimi i seancës është thirrur për sot.
Ndërkohë, marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president nuk është mbështetur nga gjashtë deputetë të LDK-së.
