Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoj për aktgjykimin dënues ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Dënimet me burgim nuk do të ekzekutohen derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa i është shqiptuar edhe dënim plotësues, me të cilin i ndalohet për 3 vjet e 6 muaj ushtrimi i funksionit në administratë publike apo në shërbime publike, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
“I akuzuari P.L është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e tetë, muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë si dhe i është caktuar dënim plotësues ashtu që të pandehurit P.L i ndalohet për tre (3) vite e gjashtë (6) muaj ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, pas mbajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në njoftim.
I akuzuari N.SH. është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, ndërsa i ndalohet për 2 vjet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo shërbime publike pas mbajtjes së dënimit.
Me të njëjtin dënim, 1 vit e 8 muaj burgim, është dënuar edhe B.T., të cilit po ashtu i është ndaluar ushtrimi i funksionit në administratë publike apo shërbime publike për 2 vjet pas vuajtjes së dënimit.
Ndërkaq, E.B., i akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim. Edhe ndaj tij është shqiptuar dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike apo shërbime publike.
Gjykata ka bërë të ditur se Avokatura Shtetërore, si palë e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.
Të akuzuarit janë obliguar gjithashtu t’i paguajnë shpenzimet e procedurës dhe shumën për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, sipas afateve të përcaktuara në aktgjykim.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda 30 ditësh, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
