Aktiviteti “Zjarri i Lirisë” është mbajtur edhe në Zonën Operative të Nerodimes, në kuadër të aktiviteteve mbështetëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në këtë aktivitet u mblodhën ish-luftëtarë të UÇK-së, veteranë, familje të dëshmorëve dhe qytetarë, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për luftën dhe sakrificën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Zjarri i Lirisë” po zhvillohet në shtatë zonat operative të UÇK-së, si pjesë e aktiviteteve që i paraprijnë “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Marshi nis në ora 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Aktivitetet në kuadër të “Zjarrit të Lirisë” pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
