Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se partitë politike nuk duhet t’i frikësohen mundësisë së zgjedhjeve të reja.
Mustafa ka thënë se zgjedhjet duhet të shihen si pjesë normale e funksionimit të një partie politike dhe se ata që nuk janë të gatshëm të përballen me to duhet të rishikojnë pozitat e tyre drejtuese.
“Partitë themelohen, udhëhiqen dhe drejtohen për të shkuar në zgjedhje, jo për t’u frikësuar nga zgjedhjet. Ata që frikësohen nga zgjedhjet do duhej të rirenditen, ta lëshojnë kreun dhe të rreshtohen me të tjerët për t’i fituar zgjedhjet”, ka deklaruar Mustafa.
Ai është shprehur edhe për rolin e diasporës në zhvillimet politike në Kosovë.
Mustafa ka vlerësuar kontributin e saj, por ka bërë thirrje që ky ndikim të mos shkojë deri në atë pikë sa të ndërhyjë në mënyrën e funksionimit demokratik të vendit.
“Diaspora i ka ndihmuar gjithherë vendit, por duhet të përmbahet të mos e përdhosë këtë vlerë, duke i imponuar Kosovës diktaturë e duke jetuar e punuar vetë në demokracinë evropiane”, ka thënë ai.
Në këtë situatë, Mustafa ka kërkuar që partitë politike të mbajnë qëndrime në përputhje me programet dhe ideologjitë e tyre, në kohën kur Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar.
