Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal se kanë “sabotuar pastrimin e Prishtinës”, pasi nuk është miratuar themelimi i kompanisë “Pastrimi”.
Rama, përmes një reagimi, ka kritikuar ashpër asamblistët e VV-së për votën e tyre, duke thënë se me këtë vendim qyteti mbetet me mbeturina.
“Ja kush jeni ju! Me votën tuaj e latë qytetin në bërllok, lagjet ku jetoni vetë, rrugët ku ecin fëmijët tuaj, familjet tuaja. Krejt qytetarët e Prishtinës i lini në bërllok”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se votuesit e VV-së duhet të ndihen të zhgënjyer me veprimet e përfaqësuesve të tyre në Asamblenë e Kryeqytetit.
“Besoj që secili votues i juaji sot ndihet i turpëruar kur e sheh çka bëni ju këtu, jo veç me votën tuaj, por edhe me sjelljet në Asamblenë e Kryeqytetit. Marre!”, ka shkruar ai.
Rama ka kritikuar edhe mosvotimin për heqjen e mbeturinave, duke thënë se një veprim i tillë është i pakuptimtë.
“Mos me votu me u hek bërlloku prej dyerve tona, prej lagjeve tona, prej rrugëve ku ecin fëmijët tanë, e kalon secilin nivel të logjikës. Kjo i bjen me punu kundër vetëvetes! Seriozisht, jeni për studim!”, ka deklaruar Rama.
