Bashkimi Europian ka kërkuar nga të gjitha shtetet dhe palët që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së. Thirrja nga Brukseli vjen para marshit të sotëm në sheshet kryesore të Prishtinës dhe katër ditë para shpalljes së verdiktit në Hagë.
Lidhur me ketë ka reaguar Ganimete Musliu nga PDK.
Ajo tha se lirin nuk na e fali askush dhe se u pagua me gjak.
“I bëj thirrje BE-së dhe të gjitha palëve: Mos luani me gjakun që u derdh për Liri! Lirinë nuk na e fali askush. E paguam me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kombit. E paguam me gjakun e fëmijëve, nënave, baballarëve, vëllezërve dhe motrave tona. Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta relativizojë, ta nëpërkëmbë apo ta trajtojë si të mirëqenë sakrificën mbi të cilën u ngrit liria jonë. Mirënjohje pa fund atyre që u bënë mburoja jonë qiellore kur na digjej dheu nën këmbë, duke u ngritur në mbrojtje të së drejtës së një populli për të jetuar i lirë. Liria nuk është dhuratë. Liria është gjak, është sakrificë!”, tha ajo.
