“Marshi për Liri”, i mbajtur të shtunën në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka marrë vëmendjen e disa prej agjencive më të mëdha të lajmeve në botë.
Reuters, Associated Press (AP) dhe Agence France-Presse (AFP) kanë raportuar për tubimin e zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës, vetëm pak ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
AFP e ka përshkruar tubimin si një protestë të zhvilluar në prag të vendimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Sipas agjencisë franceze, dhjetëra mijëra persona u mblodhën në Prishtinë për të kërkuar lirimin nga akuzat të ish-presidentit Thaçi dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
Raportimi i AFP-së është publikuar me titullin: “Mijëra njerëz protestojnë në Kosovë para vendimit për ish-udhëheqësit e lidhur me akuzat për krime lufte”.

Edhe Associated Press ka raportuar për Marshin për Liri, duke theksuar pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve në mbështetje të Hashim Thaçit dhe tre ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së.
AP ka rikujtuar se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të lidhura me luftën e viteve 1998–1999 kundër forcave serbe.

Për ngjarjen ka raportuar edhe Reuters. Agjencia britanike ka bërë të ditur se mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, të organizuar nga veteranët e luftës në mbështetje të Thaçit dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.
Reuters ka vënë në pah se protesta u zhvillua në prag të shpalljes së aktgjykimit përfundimtar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Raportimet e tre agjencive të mëdha ndërkombëtare e kanë çuar ngjarjen e zhvilluar në Prishtinë në vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë marshimi u shoqërua me thirrje për drejtësi dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Aktgjykimi përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet në ditët në vijim.
