Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka marrë vendim që sot, më 15 shtator 2026, të gjitha strukturat dhe institucionet e saj në Kosovë të stolisen me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Vendimi është marrë nga Kryesia e BIK-ut, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas vendimit, në objektet e xhamive dhe mesxhideve, përveç hapësirave të rregullta, flamuri i UÇK-së do të vendoset edhe në minaret e tyre.
BIK-u thotë se ky veprim bëhet si shenjë solidariteti dhe nderimi për luftën e drejtë të UÇK-së, duke shprehur urimin dhe shpresën që ish-krerët e saj të lirohen nga të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre dhe të shpallen të pafajshëm.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar të gjitha Këshillat e Bashkësisë Islame, drejtuesit e institucioneve arsimore, imamët dhe punonjësit e xhamive në mbarë Kosovën.
Vendimi, i nënshkruar nga kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava, hyn në fuqi menjëherë.

