Analisti politik Jeton Zogjani, duke folur në DTV Media pas verdiktit në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, tha se Kosova po përballet me një moment të vështirë dhe se, sipas tij, vendi nuk do të jetë më i njëjtë pas këtij zhvillimi.
Zogjani tha se një situatë e tillë, sipas tij, ka qenë e dëshiruar nga Serbia, duke e lidhur këtë me përpjekjet për ta dëmtuar narrativën e luftës së UÇK-së dhe shtetësisë së Kosovës.
Ai rikujtoi edhe mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, i cili kishte konstatuar se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
“Ne nuk duhet të jemi përçarës, por duhet ta shtyjmë Kosovën përpara, për hir të atyre që dhanë jetën për Kosovën”, u shpreh Zogjani.
Ai theksoi se qytetarët dhe liderët politikë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos lejojnë që situata të prodhojë përçarje të reja në shoqëri.
Zogjani shprehu gjithashtu shpresën se procesi gjyqësor do të vazhdojë në shkallët e tjera dhe se mund të ketë zhvillime të reja në të ardhmen.
“Duam të besojmë se në një moment të caktuar disa akterë të tjerë do të sjellin një vendim që do të jetë i drejtë për krerët e UÇK-së dhe do ta ruajë narrativën për UÇK-në dhe Kosovën”, tha ai.
