Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet R.K. dhe një personi juridik, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve.
Sipas aktakuzës, R.K., si pronar dhe përfaqësues i një operatori ekonomik, dyshohet se gjatë një tenderi të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë për furnizim me libra të protokollit, ka paraqitur dokumente të rreme.
Prokuroria pretendon se në tender janë përdorur CV, kontratë pune dhe certifikatë universitare në emër të një personi tjetër, pa dijeninë e tij.
R.K. dyshohet gjithashtu se ka falsifikuar një kontratë pune dhe e ka paraqitur atë si dokument origjinal në procedurën e prokurimit.
Edhe personi juridik dyshohet se ka përdorur dokumentacion të rremë për të ndikuar në vendimin e autoritetit kontraktues dhe për të përfituar kontratën.
Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
