Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar sot pas vendimit të së mërkurës të Gjykatës Speciale, e cila dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
GLPS ka theksuar se shpallja e aktgjykimit në këtë rast përbën një nga momentet më të rënda dhe më të ndjeshme për shoqërinë kosovare.
“Për një popull që ende jeton me dhimbjen e luftës, që vazhdon të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të zhdukurit dhe që e ka përjetuar luftën si një përpjekje për çlirim nga një regjim agresor dhe shtypës, ky aktgjykim nuk mund të trajtohet si një vendim i zakonshëm gjyqësor. Ai prek drejtpërdrejt kujtesën kolektive, dinjitetin e viktimave dhe shtetin tonë”, thuhet në reagimin e GLPS-së.
GLPS shprehu “zhgënjimin e thellë” ndaj aktgjykimit dhe dënimeve të shqiptuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke vlerësuar se përfundimet e këtij aktgjykimi duhet të shqyrtohen me rigorozitet të plotë, paanshmëri dhe drejtësi në shkallën e ankimimit.
“Në këtë drejtim, presim që Dhoma e Apelit të luajë rolin e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme dhe të jetë në gjendje të shqyrtojë në mënyrë të pavarur dhe në kohë të arsyeshme nëse përfundimet e shkallës së parë janë të mbështetura në ligj dhe në prova, pa qenë e lidhur nga përfundimet e saj.
Është e papranueshme që pesha e akuzave të tilla të vazhdojë të rëndojë mbi individët dhe kujtesën e një shoqërie. Pozita politike apo ushtarake nuk mundet që me automatizëm të cilësojë si fajtor askënd nëse nuk provohet lidhja kauzale shkak-pasojë me prova bindëse, justifikim të plotë dhe të ligjshëm të zhvilluar në një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm”, thuhet më tej.
Për GLPS-në, ky aktgjykim duhet të vlerësohet në kontekstin e plotë të luftës në Kosovë dhe të praktikës së drejtësisë ndërkombëtare për krimet e kryera ndaj popullsisë civile.
“E drejta ndërkombëtare nuk mund të funksionojë mbi standarde të dyfishta. Në këtë aspekt, është thelbësore të merret parasysh mënyra se si drejtësia ndërkombëtare ka trajtuar rastet e zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të aparatit shtetëror serb të gjykuar për krimet shtetërore të kryera me planifikim në Kosovë. Ky disproporcion kërkon shqyrtim serioz dhe nuk mund të relativizohet apo të lihet jashtë debatit mbi drejtësinë për luftën në Kosovë.
Drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e barabartë në standarde, por jo e verbër ndaj kontekstit, raportit të forcave dhe pozitës së viktimës dhe agresorit, e që këto pozicione janë të njohura botërisht. Çdo përpjekje për ta trajtuar këtë luftë sikur palët kanë pasur të njëjtën pozitë historike, politike dhe juridike është një minim i realitetit të luftës në Kosovë dhe i raportit thellësisht të pabarabartë në të cilin palët kanë hyrë dhe kanë vepruar gjatë saj”, thuhet në reagim.
GLPS thekson më tej se ky aktgjykim vjen pas një procesi penal jashtëzakonisht të gjatë, i cili ka zgjatur me vite dhe ka pasur pasoja të rënda për ish-krerët e UÇK-së. Sipas GLPS-së, në praktikë kjo ka cenuar një nga parimet themelore të drejtësisë, atë të gjykimit në kohë të arsyeshme.
“Gjatë këtij procesi janë ngritur çështje që lidhen me barazinë e armëve, drejtësinë në administrimin e provave, pavarësinë dhe zbatimin praktik të standardeve të të drejtave të njeriut. Në këtë drejtim, përmbledhja e aktgjykimit nuk i adreson aspektet thelbësore të identifikuara në raportin e Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), sa i përket të drejtave të njeriut.
Ndër të tjera, mënyra se si duket që janë trajtuar dhe vlerësuar provat në këtë proces krijon shqetësime serioze se standardi i provës përtej dyshimit të arsyeshëm është cenuar në mënyrë serioze. Këto çështje nuk mund të anashkalohen në vlerësimin e këtij aktgjykimi dhe të procesit të gjatë që i ka paraprirë atij”, thuhet më tej në reagim.
Sipas GLPS-së, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk nënkupton heshtje përballë vendimeve të tij.
“Përkundrazi, kërkon që kritika të mbështetet në fakte dhe që çdo gabim i konstatuar të korrigjohet përmes mjeteve ligjore”, thekson GLPS.
Në fund, Grupi për Studime Juridike dhe Politike thekson se duhet të përsëritet, sipas tyre, një e vërtetë historike e padiskutueshme: Kosova ishte viktima e luftës.
“Populli i Kosovës përjetoi vrasje, masakrime, dëbime masive, forma të ndryshme të dhunës dhe terror ndaj popullatës civile. Lufta e UÇK-së ishte rezistencë dhe luftë për çlirim nga një regjim shtypës dhe agresor i cili kreu krime ndaj popullatës të pafajshme civile, ndërsa sakrifica e qytetarëve të Kosovës për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë ishte kundërpërgjigjje e domosdoshme dhe nuk mund të vihet asnjëherë dhe nga askush në pikëpyetje”, thuhet në reagim.
GLPS vlerëson se, në këtë fazë, më shumë se kurrë Kosovës i duhet unitet institucional dhe shoqëror për ta trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi procesin e mëtutjeshëm në Dhomat e Specializuara.
“E drejta për ankesë është pjesë e vetë procesit gjyqësor dhe duhet të shfrytëzohet përmes një qasjeje të koordinuar, profesionale dhe të bazuar në argumente juridike. Përtej dallimeve politike dhe qëndrimeve individuale, institucionet e Kosovës duhet të jenë të bashkuara në mbështetjen e një procesi të rregullt dhe të drejtë të apelit.
Në një moment kaq të ndjeshëm, uniteti, maturia institucionale dhe mbështetja e fuqishme për një proces ligjor të drejtë janë thelbësore. Ky moment nuk kërkon përçarje, por qetësi dhe bashkim rreth parimeve të drejtësisë, të së vërtetës, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së dhe të mbrojtjes së dinjitetit të Kosovës”, përfundon reagimi i GLPS-së.
