Avokatja e akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Fehmije Gashi-Bytyqi u shpreh se pas vendimit të Dhomave të Specializuara, Kosova duhet të fokusohet në përforcimin e ekipeve mbrojtëse.
Ajo tha se mungesa e avokatëve të përfshirë nga Kosova ka krijuar një boshllëk të madh në këtë proces gjyqësor, pasi sipas saj, ata kanë njohuri më të drejtpërdrejta për rrethanat në të cilat ka vepruar UÇK.
“Kosova mund ta përforcojë ekipin mbrojtës, pavarësisht prej faktit që kanë marrë, sipas tyre, avokatët më të përgatitur. Mungesa e avokatëve të Kosovës ka krijuar një boshllëk të madh. Asnjë avokat, edhe me nivel botëror, nuk e di gjendjen reale se si ka vepruar UÇK-ja në Kosovë, komandën dhe organizimin”, ka deklaruar Gashi-Bytyqi.
Avokatja ka thënë se pas shpalljes së aktgjykimit, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te reagimet politike, por tek strategjia e mbrojtjes në Gjykatën e Apelit.
“Kosova ka avokatë brilantë (nuk po pretendoj për vetën) dhe pas shpalljes së verdiktit, në vend që të dalin ta shprehin dëshpërimin se kanë dështuar, sepse ata avokatë me miliona i kanë kushtuar buxhetit të varfër të vendit, në vend të kësaj duhet të japin sqarim pse ndodhi dhe cila është strategjia për Gjykatën e Apelit”, është shprehur ajo.
