Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka dorëzuar në UEFA listën përfundimtare të futbollistëve të gatshëm për ndeshjen ndaj Republikës së Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Nga futbollistët e grumbulluar, jashtë listës prej 23 lojtarësh për këtë përballje kanë mbetur Leard Sadriu, Lindon Emërllahu, Meriton Korenica dhe Vesel Demaku.
Si rrjedhojë, katër futbollistët nuk do të jenë në dispozicion për t’u aktivizuar në këtë takim dhe ndeshjen do ta ndjekin nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kosova sonte përballet me Republikën e Irlandës në Prishtinë, në ndeshjen hapëse të saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Kjo përballje ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se është ndeshja e parë zyrtare mes Kosovës dhe Irlandës.
Takimi mes “Dardanëve” dhe irlandezëve do të zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova do të kërkojë ta nisë me rezultat pozitiv këtë cikël.
