DTV Media po zgjeron programacionin me një format të ri televiziv, “FORUM”, i cili synon të sjellë në ekran diskutime, analiza dhe debate mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.
Emisioni do të drejtohet nga moderatorja Nora Mavriqi, ndërsa pjesë e këtij formati do të jenë dy emra të njohur të skenës publike kosovare, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu.
Visar Ymeri, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe analist politik, ka një përvojë të gjatë në politikë dhe në media, duke qenë ndër vite pjesë e debateve dhe diskutimeve televizive. Në “FORUM”, ai do të sjellë analizën dhe perspektivën e tij mbi zhvillimet politike dhe çështjet aktuale.
Pjesë e ekipit do të jetë edhe Dardan Sejdiu, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe analist politik, i njohur gjithashtu për përvojën dhe njohuritë e tij në fushën e ekonomisë. Kontributi i tij pritet t’i japë emisionit një dimension të veçantë në trajtimin e zhvillimeve ekonomike dhe ndikimit të tyre në shoqëri.
“FORUM” synon të jetë një hapësirë ku temat më aktuale diskutohen përmes argumenteve, analizës dhe përballjes së këndvështrimeve, duke sjellë në fokus politikën, ekonominë dhe zhvillimet shoqërore.
