Rrëfime për persona të maskuar që flisnin shqip dhe për marrjen e bashkëshortit për ta vrarë u dhanë gjatë dëgjimit të dëshmitarëve në gjykimin ndaj Ramadan Morinës, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Në seancën e sotme, pranë Gjykatës Themelore Departamenti Special me gjyqtarin Rrahman Beqiri një dëshmitare e moshuar , që burrin ia vranë përshkroi momentin kur, sipas saj, ia kishin marrë bashkëshortin, Imerin. Ajo tha se personat i ishin drejtuar atij në gjuhën shqipe, duke i përmendur një pushkë.
“Burrin tem, kur ma kanë marrë me vra, kanë thanë: ‘Imer, ti ki pushkë 20-she’. Shqip i kanë thanë, shqiptarë kanë qenë”, deklaroi ajo para trupit gjykues.
Në dëshmitë e përcjella gjatë seancës u përmendën edhe persona të maskuar, të cilët kishin qen me vete.
“Ata kanë pasur qen me vete, shqip na kanë folur, të maskuar”, u tha gjatë dëshmisë.
Këto rrëfime po dëgjohen në kuadër të procesit ku po shqyrtohet përgjegjësia e pretenduar e Morinës për ngjarjet gjatë luftës në fshatin Burim të Malishevës.
Sinjali kishte raportuar edhe nga seanca e 17 shtatorit, ku u dëshmua për ndarjen dhe keqtrajtimin e burrave para të shtënave, si dhe u pretendua se urdhri për të qëlluar ishte dhënë në shqip. Morina i kishte mohuar akuzat, duke pretenduar se atëkohë ndodhej në Beograd.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, forcat serbe, në përbërje të të cilave pretendohet se ishte Morina, rrethuan “Vrellën e Mihillit”, ku ishin strehuar rreth një mijë civilë.
Prokuroria pretendon se 35 burra u ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe u rreshtuan. Një pjesëtar i forcave policore serbe më pas qëlloi mbi ta, duke vrarë 34 civilë. Sipas dosjes, Nuredin Morina mbijetoi duke u shtirur si i vdekur dhe më vonë u largua.
Aktakuza përfshin edhe dëbimin e civilëve drejt Shqipërisë, marrjen e parave e stolive dhe djegien e automjeteve e traktorëve të tyre. Prokuroria pretendon gjithashtu se trupat e viktimave u dogjën për të fshehur gjurmët e krimit.
Morina u arrestua në gusht 2025, ndërsa aktakuza u ngrit në dhjetor të atij viti. Ai është deklaruar i pafajshëm.
