Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të saj në New York ka zhvilluar një takim me kolumnistin e “The New York Times”, Nicholas Kristof.
Osmani ka thënë se në këtë bashkëbisedim është diskutuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe pasojat që vazhdojnë të ndihen edhe sot.
Ajo ka përmendur familjet që ende nuk kanë marrë përgjigje për fatin e të afërmve të zhdukur, si dhe çështjen e varrezave masive.
Në reagimin e saj, Osmani ka folur edhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe fëmijët e vrarë gjatë luftës.
“Bota duhet të vazhdojë të dëgjojë për krimet serbe, për të cilat ende nuk ka drejtësi”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se Serbia vazhdon t’i mohojë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, duke kërkuar që viktimat të kenë drejtësi.
Sipas saj, trajtimi i këtyre çështjeve është i rëndësishëm për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe për të ardhmen e Kosovës.
