Analisti dhe njohësi i zhvillimeve në Kosovë, Agon Maliqi, ka thënë se reagimet e qytetarëve pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së lidhen me perceptimin se verdikti ka prekur drejtpërdrejt trashëgiminë e luftës çlirimtare dhe historinë e Kosovës.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Maliqi tha se debati pas aktgjykimit duhet të fokusohet te përgjegjësia individuale e personave për veprat për të cilat janë dënuar, dhe jo te krijimi i një narrativi që e lidh tërë lidershipin e UÇK-së me motive kriminale.
“Duhet të pyesim sinqerisht: a janë të dënuarit ata që kanë qenë zbatuesit dhe urdhërdhënësit e veprave dhe se a vendos ky lloj verdikti drejtësi?”, tha Maliqi.
Sipas tij, aktgjykimi nuk ka sjellë drejtësi as për viktimat dhe as për të dënuarit, pasi, siç vlerëson ai, përgjegjësia është atribuuar në nivelin komandues pa u individualizuar në secilin rast.
Maliqi theksoi se pikërisht kjo çështje duhet të jetë në qendër të debatit publik pas vendimit të Gjykatës Speciale.
“Debati duhet të rifokusohet te përgjegjësia individuale e atyre që i kanë bërë veprat, e jo duke ndërtuar një narrativ të motiveve kriminale të lidershipit të UÇK-së”, tha ai.
Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator, dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, Rexhep Selimin me 13 vjet dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet, për krime lufte. Të katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar ankesë.
