Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka folur për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë dhe të mos vonohen në reagimin e tyre.
Haradinaj tha se vendimi i fundit duhet të shërbejë si një pikënisje për veprime më konkrete dhe bashkëpunim institucional, duke nisur nga seanca e sotme plenare, që pritet të zhvillohet nga ora 11:00.
“Sot është një fillim, edhe pse është dashur të flitet me vepra më konkrete. Përpos që e jep një shenjë të mirë, shpresoj për bashkëpunim. Koha është që të veprojmë”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se koha për procesin e Apelit po shkurtohet dhe se institucionet duhet të bashkërendojnë veprimet dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë.
“Apelit për çdo ditë e më tepër i shkurtohet koha. Sa më shumë që këta nuk bashkërendojnë, nuk veprojnë dhe nuk i marrin secili përgjegjësitë e veta me mundësitë që i ka, ata në një farë mënyre janë fajtorë për mosreagim në kohën e duhur”, u shpreh ai.
Haradinaj kërkoi që partitë politike t’i lënë anash përplasjet dhe interesat politike, duke u fokusuar, sipas tij, në një reagim të përbashkët institucional.
“Ne shqiptarët deri sot shpesh ndodh të reagojmë vonë. Edhe tash është vonë, e lë më nëse vonohemi edhe në javën e dytë. Mendoj se është koha t’i lëmë inatet politike dhe të shkojmë atje ku na dhemb të gjithëve”, deklaroi Haradinaj.
Ai foli edhe për nevojën e zgjedhjes sa më të shpejtë të presidentit të Kosovës, duke thënë se vendi ka nevojë për një president që, sipas tij, do të kishte rol më aktiv në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne sa më shpejt duhet ta zgjedhim presidentin, që të flasë edhe me Amerikën. Neve na duhet një president që i fut drunjtë shkurt. Që ka guxim, që është i zoti, dhe këtë nuk e besoj që e kanë problem ta gjejnë partitë politike, nëse përnjëmend e kanë që duan ta heqin këtë turp që i përfshin të gjithë”, tha Haradinaj.
