Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar për vjedhje në fshatin Guriq të Malishevës.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 12 maj 2026, ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar, pavarësisht veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani.
Për këtë arsye, Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Malishevë, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar në zbardhjen e rastit.
Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar shihet në fotografinë e publikuar bashkë me njoftimin dhe ka ftuar këdo që ka informacion për identitetin apo vendndodhjen e tij që ta raportojë.
Informacionet mund të dërgohen përmes numrit emergjent 192, në stacionin policor më të afërt, ose përmes adresës zyrtare elektronike [email protected].
“Policia e Kosovës garanton se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
