Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se nuk është i gatshëm të rikthehet në postin e presidentit të vendit, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë komunikim lidhur me një mundësi të tillë.
Duke komentuar zërat e fundit në media për një rikthim të mundshëm të tij në krye të shtetit, Sejdiu ka mohuar se ka pasur ndonjë kontakt apo diskutim për këtë çështje.
“Jo, jo, nuk është për mua, nuk kam kurrfarë komunikimi”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka bërë të ditur se, në kuptimin e përgjithshëm, mendon se ka ardhur koha që këtë post ta marrin figura të tjera.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve dhe diskutimeve publike për mundësinë e rikthimit të ish-presidentit në postin që e ka mbajtur më herët.
