Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve” në Debrecen, pasi nuk do të jetë në gjendje të rikuperohet me kohë për dy ndeshjet e ardhshme ndaj Izraelit dhe Austrisë.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se, pavarësisht angazhimit të stafit mjekësor dhe përpjekjeve për rikuperimin e tij, Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për këto dy përballje.
“Përkundër angazhimit maksimal të stafit mjekësor dhe përpjekjeve për ta rikuperuar futbollistin, Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për këto dy ndeshje”, bënë të ditur FFK-ja.
Ndërkohë, mesfushori Leon Avdullahu është liruar përkohësisht nga grumbullimi për arsye familjare.
Sipas FFK-së, Avdullahu pritet t’i bashkohet ekipit sa më shpejt që të jetë e mundur.
