Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.O., ndërsa për të pandehurin E.O. ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, pasi dyshohet se veprën e kanë kryer në bashkëkryerje.
Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2026, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, të pandehurit dyshohet se kanë kultivuar bimë të llojit Kanabis Sativa, me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin dhe parandalimin e veprave penale që lidhen me narkotikët.
