Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka folur për situatën politike në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe zhvillimet e fundit në vend.
Hoxhaj tha se Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të pazakontë politike, duke e përshkruar vendin si të gjendur në një “udhëkryq”.
“Kosova është në një udhëkryq dhe në këtë pozicion nuk kemi qenë ndonjëherë.”
Ai tha se, sipas PDK-së, në këtë situatë duhet të ketë një drejtim të qartë politik dhe se partia e tij mendon se duhet të kontribuojë në përcaktimin e këtij drejtimi.
Duke folur për aktgjykimin e fundit në Hagë, Hoxhaj tha se vendimi ka shkaktuar mllef, pezëm dhe zemërim te një pjesë e qytetarëve, gjë që, sipas tij, ka nxitur edhe protestat e organizuara në Prishtinë.
Hoxhaj theksoi gjithashtu se përmes rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës është bërë një përpjekje për të afruar subjektet politike dhe për të krijuar një qëndrim më të përbashkët institucional.
“Me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës kemi bërë përpjekje që të kemi një përafrim të subjekteve politike.”
Sipas Hoxhajt, aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ishte i padrejtë, ndërsa tani, siç tha ai, mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet e ardhshme të subjekteve politike.
“Aktgjykimi në Hagë ishte i padrejtë. Tash e tutje varet nga subjektet politike se cilat do të jenë veprimet që do t’i ndërmarrin.”
Hoxhaj i bëri këto deklarata gjatë diskutimit për zhvillimet politike dhe reagimet në Kosovë pas vendimit të gjykatës në Hagë.
