Në Prishtinë po vazhdon edhe sonte protesta kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, duke kundërshtuar vendimin e shpallur më 16 shtator, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Protestuesit po kërkojnë reagim dhe veprime konkrete nga institucionet e Kosovës lidhur me aktgjykimin. Në mesin e pjesëmarrësve janë parë pankarta dhe mesazhe në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që institucionet e vendit të ndërmarrin hapa lidhur me zhvillimet në Hagë.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet. Ekipet e mbrojtjes kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë vendimin përmes procedurave të apelit.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e lidhur këtë kërkesë me zhvillimet e fundit në proceset gjyqësore në Hagë.
Protestat në Prishtinë janë mbajtur për 14 net radhazi, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë.
