Analisti politik Visar Ymeri, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka folur për situatën politike në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ymeri tha se aktualisht nuk ka ende një ide të qartë se në çfarë drejtimi po shkon Kosova, ndërsa foli edhe për nevojën e bashkimit të subjekteve politike. Megjithatë, sipas tij, vetëm bashkimi politik nuk është i mjaftueshëm për t’u përballur me zhvillimet e reja.
Ai përmendi edhe propozimin e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Specialen, duke thënë se kjo parti beson se një nismë e tillë mund të ketë efekt, ndërsa, sipas tij, subjektet e tjera politike, përfshirë LVV-në, nuk kanë paraqitur ende një propozim konkret për të ecur përpara.
Ymeri theksoi se çështja e përballjes me aktgjykimin e Speciales nuk duhet të shndërrohet në pazar politik për zgjedhjen e Presidentit, por shtoi se të dyja çështjet nuk mund të ndahen lehtësisht në rrafshin institucional.
“Kosova, për t’u ballafaquar me aktgjykimin e Speciales, duhet të ketë institucione stabile.”
Ai tha se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional në mënyrë që të mund të përballet me zhvillimet dhe sfidat që dalin nga vendimi i Gjykatës Speciale.
