Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur për situatën e krijuar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale dhe për mënyrën se si Kosova duhet të përballet me zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Hoxhaj ka shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se personat që ndodhen në Hagë nuk duhet të shihen si të burgosur të Kosovës.
“Ata burra atje janë të burgosur politikë të BE-së, jo të Kosovës”, deklaroi Hoxhaj në emisionin “Forum” në DTV Media.
Ai ka theksuar se Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të rëndësishme politike dhe se pas zhvillimeve në Hagë nevojitet një qasje institucionale dhe politike.
Hoxhaj ka deklaruar gjithashtu se Ligji për Gjykatën Speciale nuk duhet të lidhet me çështjen e Presidentit, duke argumentuar se këto dy çështje duhet të trajtohen veçmas.
Sipas tij, pas aktgjykimit në Hagë, subjektet politike duhet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm dhe mënyrën se si Kosova do të veprojë përballë kësaj situate.
