Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ish-krerët e UÇK-së, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë “marrë peng padrejtësisht” nga Bashkimi Evropian.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Hoxhaj tha se Kosova duhet të zhvillojë një dialog më të qetë dhe më të hapur me partnerët e saj perëndimorë.
“Nëse ideja është që ta dënojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ta gjykojnë Kosovën, le t’i kthehen katër-pesë vite Ukrainës. Nuk është bota në të cilën unë do të duhej patjetër të hesht”, është shprehur Hoxhaj.
Ai e cilësoi si të padrejtë qëndrimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke përmendur Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin.
“Prandaj e shoh qëndrimin, marrjen peng të padrejtë të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit…”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj tha se Kosova duhet të vazhdojë komunikimin me partnerët perëndimorë, por njëkohësisht të shprehë qartë qëndrimet e saj për çështjet që lidhen me lirinë, pavarësinë dhe drejtësinë për ish-drejtuesit e UÇK-së.
