Në kuadër të Planit Operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës (APK), ka zhvilluar kontrolle në Ferizaj dhe Shtërpcë për parandalimin dhe luftimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të druve.
Gjatë ditës së sotme, rreth orës 04:00, në fshatin Burrnik të Ferizajt, zyrtarët policorë kanë asistuar ekipet e APK-së gjatë kontrolleve, ku janë hasur dy mjete të ngarkuara me dru – një xhip me rimorkio dhe një traktor me rimorkio.
Me përcjellje të Policisë, mjetet janë dërguar në depon e Pylltarisë, ku zyrtarët e APK-së kanë konfiskuar drutë dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
Kontrolle janë zhvilluar edhe nga Stacioni Policor në Shtërpcë. Në fshatin Brod është ndaluar një furgon i ngarkuar me dru, ndaj të cilit janë ndërmarrë veprimet përkatëse nga zyrtarët kompetentë.
Aktivitetet e tilla po zhvillohen në kuadër të Planit Operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”, me qëllim parandalimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore.
