Daut Haradinaj i Aleancës ka reaguar pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Haradinaj tha se ky vendim është tentim për kapjen “gati të fundit” të këtij institucioni nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se kjo është autokraci.
“Presioni ndaj kryeprokurorit Blerim Isufaj është ndërhyrje direkte në rend dhe ligj, në tentim të kapjes edhe të institucionit gati të fundit që ka mbetur pa u sterkequr nga tentakulat e Albin Kurtit. Kush nuk iu nënshtrua, do të largohet edhe me presion. Kjo është autokraci. Dhe e gjithë kjo po ndodh edhe mbi goditjen e madhe që mori Kosova në Hagë”.
Ai përmendi punën e Isufajt, duke thënë se mori vlerësime të larta nga vendet mike, ndërsa tha se ndaj tij u bë presion sot nga “politikat shoviniste” të Kurtit.
“Një vend ku Albini dëshiron ta luajë rolin e kryeministrit, gjyqtarit, kryeprokurorit dhe presidentit. Kjo mazhorancë nuk do rend, ligj dhe zhvillim. Kjo do kapje dhe abuzim me gjithçka që u ndërtua me gjak. Kjo mendësi duhet të shkojë, sa nuk është bërë tepër vonë”, tha ai.
