Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka komentuar në emisionin “Forum” të DTV Media shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili u shkarkua sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Sipas saj, “kalaja e fundit” për Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë marrja nën kontroll e Prokurorisë Speciale, duke pretenduar se largimi i Isufajt ka qenë një dëshirë e kahmotshme e këtij pushteti.
Ajo theksoi se Prokuroria Speciale është institucion i drejtësisë me kompetenca të veçanta dhe se merret me raste të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës.
“Prokuroria Speciale është institucion i drejtësisë dhe i pavarur. Të gjitha ato sulme që i janë drejtuar Blerim Isufajt dhe deklaratat tash e gjashtë vite lidhur me punën dhe personalitetin e tij kanë rezultuar me shkarkim”, tha Daka.
Sipas saj, për vite me radhë ka pasur deklarime publike kundër Isufajt dhe, në fund, këto zhvillime kanë çuar në largimin e tij nga drejtimi i Prokurorisë Speciale.
Daka vlerësoi se arsyeja e shkarkimit tashmë është bërë publike, por sipas saj mënyra dhe rrethanat e këtij vendimi “ngjajnë më shumë me një skenar politik”.
Në anën tjetër, KPK ka dhënë një arsyetim institucional për vendimin. Sipas Këshillit, në ushtrimin e detyrës së kryeprokurorit janë konstatuar keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore. Isufaj nuk është larguar nga Prokuroria Speciale, por do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit.
Pas shkarkimit, Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale deri në plotësimin e pozitës sipas procedurave ligjore.
