Analisti politik Dukagjin Gorani ka kritikuar mënyrën se si zhvillohen takimet mes liderëve të partive politike në Kosovë.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Gorani tha se në këto takime nuk diskutohen vlerat dhe parimet politike, por kryesisht marrëveshjet dhe ndarja e posteve.
“Çdo herë që takohen liderët e partive, bisedojnë për transaksione, jo për vlera. Nëse ta japi presidentin, çka më jep ti mua?”, tha Gorani.
Ai u shpreh se politika kosovare është larguar nga diskutimet për vlerat dhe besimin në shoqëri, duke thënë se prej vitesh po dëshmohet një degradim i këtij modeli.
“E kemi harru që shoqëria duhet me u mirëmbajt me mirëbesim, me vullnet të mirë, që t’i zëmë besë njëri-tjetrit”, deklaroi ai.
Gorani kritikoi gjithashtu diskutimet aktuale rreth sistemit të drejtësisë dhe mënyrës se si partitë synojnë të shkojnë në zgjedhje.
“Ne po flasim për instrumentalizimin e sistemit të drejtësisë, ose për mënyrën qysh me shku në zgjedhje e qysh kanë me manipulu qytetarin e vet partitë politike, që me vazhdu funksionimin e vet transaksional”, tha Gorani.
