Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Përmes një postimi, Aliu tha se vendimi është marrë më 11 shtator, ndërsa sipas tij, lajmin nga avokati e ka pranuar mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.
Aliu bëri të ditur se hetimet kishin nisur rreth dy vite më parë dhe se gjatë kësaj periudhe ishte hetuar edhe pasuria e tij dhe e familjes, si dhe të hyrat e deklaruara ndër vite.
Ai tha se gjatë procesit ishte përballur me, siç i cilësoi, “shpifje dhe ofendime” ndaj tij, familjes dhe idealit kombëtar.
“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve”, ka shkruar Aliu.
