Ish-ambasadori i Kosovës, Bernard Nikaj, i ftuar në emisionin “Forum” në DTV Media, ka komentuar edhe vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Nikaj e ka cilësuar si “fatkeqësi të madhe” vendimin e lidershipit të LDK-së, duke thënë se partia është vendosur në një pozitë përballë UÇK-së.
“Për mua ka qenë fatkeqësi e madhe që lidershipi i LDK-së e ka vendosur LDK-në në pozitë që të abstenojë dhe të mos marrë pjesë në një votim kaq të rëndësishëm për Kosovën dhe historinë e vendit tonë, dhe ta vendosë LDK-në përballë UÇK-së”, ka deklaruar Nikaj.
Ai tha se ende nuk e ka kuptuar arsyen e këtij qëndrimi, duke kujtuar edhe periudhën e viteve ’90 dhe protestat e asaj kohe, kur, sipas tij, udhëheqës të LDK-së ishin bashkë me protestuesit dhe mbështesnin kauzën e UÇK-së.
“Historikisht kam njohur kryetarë dhe liderë të LDK-së. Kam dalë në protesta në vitet ’90, ku udhëheqës të LDK-së kanë qenë bashkë me ne në protesta dhe kemi brohoritur ‘UÇK, UÇK’. Nëse këtë e kemi bërë në vitet ’90, nuk ka pasur arsye që LDK-ja të dalë përballë kësaj tani”, është shprehur Nikaj.
Kuvendi i Kosovës më 5 tetor miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara me 91 vota për, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.
